Transmetuar më 04-04-2020, 21:33

Diçka shumë domethënëse ka ndodhur në famullinë Santi Silverio e Domitilla, në ishullin italian Ponza, në detin Tiren.

Disa gjethe e lule të freskëta kanë çelur në degën e gjëmbaçit në këmbët e Krishtit të kryqëzuar, në këtë kishë.

Siç shkruajnë mediat italiane, kurora ishte thurur nga detarët e ishullit dhe u vendos për devotshmëri në këmbët e Krishtit.

Disa gjethe të vogla kishin nisur të dilnin prej saj dhe në periudhën e Krishtlindejve në fund të vitit të shkuar por fenomeni u përsërit këto ditë madje dhe me disa lule të vogla, çka ka mrekulluar priftin e kishës së portit të Ponza:

“Kjo ngjarje më bën të mendoj se prej vuajtjes, Zoti nis lulëzimin e shëndetit, të paqes dhe jetës. Janë tashmë 4 muaj që ai vazhdon të na dhurojë lule e gjethe. Kjo është një shenjë shprese për ne dhe për të gjithë njerëzimin”, shprehet Ramon Fagnardo.

Për besimtarët kjo është një shenjë që sjell me vete një mesazh shprese dhe rilindjeje në këto kohë të vështira krijuar nga koronavirusi./a.k/noa.al/