Transmetuar më 05-04-2020, 09:37

Një studente amerikane ka zgjedhur të ndihmojë një grup të veçantë njerëzish në luftën ndaj koronavirusit. Kur shpërtheu pandemia, 21-vjeçarja vuri re se shumë vullnetarë filluan të krijojnë maska.

Pas kësaj i lindi pyetja: Përse të mos bëj maska për komunitetin e shurdhër në qytetin Richmond të shtetit Kentucky?

Ajo krijoi projektin DHH ku mblodhi persona që nuk kishin përvojë të mëparshme dhe filluan të qepnin maska të modifikuara për këtë qëllim. Ata vendosën në pjesën e gojës, material plastik transparent në mënyrë që personat e shurdhër të arrijnë të lexojnë buzët e të tjerëve apo të shohin shprehjet e fytyrës.

“Kjo është mënyra se si ne qëndrojmë të shëndetshëm në shtëpi”, shkroi Ashley në Facebook. Studentja tha se maskat do të shpërndahen falas. “Unë mendoj se nëse ju duhen, atëherë ju duhen dhe nuk mendoj se duhet të paguani për to”, shton ajo.

Nuk dihet për sa kohë do të zgjasë prodhimi pasi deri tani ka marrë dhjetëra porosi nga gjashtë shtete të botës, raporton Newser.

Grupi i saj i punës po përgatit një video që tregon se si të tjerët mund të krijojnë të tilla maska. Ndërkohë është hapur një faqe në GoFundMe për të mbledhur para për maskat. Ashley shpjegoi se ato do të shërbejnë për të përgatitur maskat dhe pjesa e mbetur do t’i shkojë shoqatave që ndihmojnë familjet e fëmijëve që kanë vështirësi në të dëgjuar ose janë krejtësisht të shurdhër./a.m/noa.al