Transmetuar më 05-04-2020, 09:54

Ngritja e flamurit të Vorio-Epirit para dy ditësh në Himarë është cilësuar sot e papranueshme nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në një njoftim të bërë publik, PDIU thotë se ngjarja duhet dënuar pasi qarqet ekstremiste greke po provokojnë në një kohë kur shteti është izoluar për shkak të Covid-19.

PDIU i bën thirrje shtetit shqiptar që të veprojë me forcën e ligjit në ruajtje të integritetit dhe dinjitetit kombëtar.

Deklarata e plotë

Dënojmë si të papranueshme ngjarjen e datës 3 Prill në Himarë, ku qarqet ekstremiste greke provokojnë brenda territorit të Shqipërisë me ngritjen e flamurit të Vorio-Epirit.

Shqipëria e vetëizoluar për shkak të pandemisë COVID-19, Greqia tregon revanshin për agjendën e saj.

Shteti shqiptar të veprojë me forcën e ligjit në ruajtje të integritetit dhe dinjitetit kombëtar.

Në kohën kur e gjithë Shqipëria është vetëizoluar për të përballuar pandeminë e koronavirus COVID-19, qarqet ekstremiste greke provokojnë brenda territorit të Shqipërisë me ngritjen e flamurit të Vorio-Epirit. Ngjarje të tilla tashmë janë kthyer në rituale të përsëritura arrogante dhe të dënueshme ligjërisht.

Heshtja për Çështjen Çame, ngritja e varrezave të ushtarëve grekë, censusi i parashikuar me vetëdeklarim, shtimi i 3 kushteve të reja nga Greqia për hapjen e negociatave tregojnë për revanshin dhe agjendën këmbëngulëse të Greqisë edhe në këtë kohë kur njerëzimi është në betejë për të drejtën e jetës.

I bëjmë thirrje shtetit shqiptar, institucioneve ligj zbatuese, Prokurorisë, SHISH, Policisë, të veprojnë me forcën e ligjit në ruajtje të integritetit dhe dinjitetit kombëtar".