Transmetuar më 05-04-2020, 10:29

Pashkët e këtij viti do të festohen ndryshe në Shqipëri dhe në të gjithë botën për shkak të situatës së koronavirusit.

Sot nis java e Pashkëve dhe Ipeshkvi i Mirditës, Gjergj Meta thotë se nuk do të mungojë mesha, por do të mbahet pa besimtarë. Komuniteti katolik i është përgjigjur thirrjeve të qeverisë për të anuluar të gjithë ritualet kishtare pasi më to ka grumbullim njerëzish dhe konsiderohen si vatra për përhapjen e Covid-19.

Meta tha se mesha do të transmetohet në disa televizione dhe besimtarët do të kenë mundësi ta dëgjojnë nga shtëpitë e të luten.

“Ne do të kremtojmë meshën në dioqezën e Rrëshenit dhe të gjitha kishat në Shqipëri. Do të jemi me priftërinj por pa popull, mesha do zhvillohet normalisht. Qytetarëve do i komunikojmë oraret që të na ndjekin nga shtëpitë e tyre”, tha Ipeshkvi i Mirditës.

Gjergj Meta shtoi se Pashkët janë zemra e krishtërimit. “Pa Pashkë nuk ka as bekim të krishterë, kjo javë për ne është me rëndësi, pasi përkujton momentin e kryqëzimit, vdekjes dhe ringjalles së Krishtit”, tha ai./a.m/noa.al