Transmetuar më 05-04-2020, 11:14

Të paktën 207 lokale në vend, janë rihapur në mënyrë ilegale ditët e fundit duke u shërbyer klientëve, pohon Policia e Shtetit, duke shtuar se ka marrë masa për ndëshkimin e tyre.

"Që prej daljes së Aktit Normativ e deri tani, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 207 administratorë lokalesh që kanë ushtruar aktivitetin në kundërshtim me këtë Akt", njofton policia duke pranuar se numri i bar kafeneve të hapura mund të jetë më i madh nga sa janë pikasur prej saj.

Në kushtet kur vendi është në shtetrrethim, policia i rezervon vetes të drejtën e ndëshkimit dhe sot, njoftoi se ka thelluar masat për shkelës përsëritës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, kanë evidentuar të hapur në funksionim, një lokal bar-kafe, në rrugën "Niko Avrami". Kjo ishte hera e dytë pasi më 27 mars 2020 lokali është konstatuar i hapur për herë të parë dhe pronari është ndëshkuar me masë administrative.

Administratori i lokalit, F.B, është konstatuar përsëri duke mbajtur hapur lokalin dhe duke i shërbyer klientëve dhe në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 të datës 15.03.2020 është ndëshkuar përsëri, me mbyllje të aktivitetit për 6 muaj.

Një javë më parë, po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, një tjetër lokali, në pronësi të shtetases R. F., në rrugën “Sadik Petrela”, iu bllokua aktiviteti për 6 muaj, pasi u konstatua për herë të dytë i hapur, në kundërshtim me Aktin Normativ. /noa.al/