Transmetuar më 05-04-2020, 12:58

Një grua është gjetur e vdekur  në lagjen “11 Janari” në qytetin e Kuçovës, duke u bërë rasti i dytë i femrave që gjenden të pajeta në qarkun Berat brenda dy ditësh.

Ngjarja e Kuçovës ka ndodhur pak pas mesnatës duke gdhirë dita e sotme, në banesën ku ajo jetonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Zamira Sefa u gjet e vdekur në dhomën e gjumit. Bashkëshorti njoftoi policinë e cila konstatoi në vendngjarje se e ndjera ishte varur me një litar.

Dyshimet janë se viktima kreu vetëvrasje. E ndjera kishte kohë që vuante nga depresioni për shkak të kushteve të rënduara ekonomike në të cilat jetonte dhe kjo mendohet të jetë edhe shkaku që e ka çuar gruan të ndërmarrë aktin e vetëflijimit.

Menjëherë pas ngjarjes, bashkëshorti i gruas është dërguar për mjekim në spital, pasi kur ka gjetur gruan të varur ai ka rënë pa ndjenja në banesë.

Më herët dje, një tjetër grua, edhe ajo 46 vjeçe u gjet e vdekur. E ndjera u gjet e mbytur në lumë, në afërsi të Urës së Kuçit.