Transmetuar më 05-04-2020, 12:36

Mjeshtri i madh i humorit shqiptar në tërësi, Gëzim Kruja ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, pasi kohët e fundit vuante nga një sëmundje e rëndë teksa kishte humbur edhe zërin.

Dalja e tij e fundit për media ishte ajo në festën e 80 vjetorit të lindjes që miqtë e teatrit i organizuan.

Karrierën humoristike Kruja e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.

I ndjeri ka shkruar 15 komedi, 10 recitale, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe për mbi 52 vite ushtroi profesionin e humoristit.

Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005, edhe titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010, titullin “Mjeshtër i Madh”. /noa.al/