Transmetuar më 05-04-2020, 18:02

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me shqetësim në lidhje me personat që kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitarë të Kakavijës dhe Kapshticës, të kthyer nga Greqia për shkak të koronavirusit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shkruan se kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.

Meta shprehet se shteti ka detyrim kushtetues ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë.

“U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë.

Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës”, shkruan Meta./a.k/noa.al/