Transmetuar më 05-04-2020, 19:17

I ndjeri Skënder Kurti që u nda nga jeta sot pasdite në spitalin Infektiv në QSUT, kishte rreth tre javë që gjendej nën terapi intensive. Më shumë se dy javë më parë Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë zyrtare njoftoi vdekjen e tij duke e regjistruar si viktimën e pestë nga koronavirusi në Shqipëri. Por disa orë më vonë e përgënjeshtroi duke deklaruar se nuk kishte ndërruar jetë, por ishte në vdekje klinike.

Në komunikatën e sotme thuhet: “Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar.

Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, ish-trajneri u vendos në frymëmarrje të drejtuar (respirator) dhe u bënë përpjekje për ta shpëtuar.

Ish-kampioni i boksit, Skënder Kurti, ka punuar si trajner boksi për rreth 30 vite. Kurti ishte trajneri i parë i kombëtares dhe ekipit kampion të Tiranës.

Kurti është viktima i njëzetenjëtë që humb jetën nga COVID-19 në vendin tonë. /noa.al/