Transmetuar më 06-04-2020, 02:15

Mjeku Riccardo Munda tregon se pjesa më e madhe e pacientëve duhet të ekzaminohen në shtëpi, përndryshe nuk mund të shpëtohen, pasi shumica e tyre mund të vuajnë nga demenca senile dhe ata nuk janë në gjendje të raportojnë simptomat e tyre.

Për këtë arsye dr. Munda thekson se mjekët duhet të shkojnë në shtëpitë e të sëmurëve për të zbuluar simptomat e mundshme të sëmundjes.

Munda punon si mjek në Selvino dhe Nembro, dy qyteza pranë Bergamos. Ai nënvizon se vdekje të shumta po vijnë nga mungesa e kujdesit shëndetësor.

"Qindra vdekje që kemi parë janë për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor parësor. Ajo që ndodhi është që mjekët filluan të vizitojnë këta pacientë pa masat e duhura mbrojtëse dhe u infektuan. Disa mjekë u vendosën në karantinë dhe vazhduan të punonin, mbase duke dhënë vetëm këshilla përmes telefonit sepse nuk kishte mjekë të disponueshëm për t’i zëvendësuar. Mjekët e tjerë u sëmurën, disa u tmerruan duke ditur që kolegët e tyre u sëmurën dhe vdiqën. Kështu ata nuk kryenin vizita sepse nuk kishin pajisjet e nevojshme mbrojtëse, pajisje që na janë siguruar nga agjencitë lokale të shëndetësisë në një mënyrë absolutisht të pamjaftueshme", tregon ai.

Mjeku italian thotë se një pjesë e pacientëve i kanë marrë shërbimet mjekësore atëherë kur ishte tepër vonë për ta.

"Njerëzit mbetën në shtëpi pa ndihmë dhe u vizituan nga një mjek vetëm kur gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua në një masë të tillë që ata kërkuan shtrimin në spital të menjëhershëm dhe kujdes intensiv. Sipas mendimit tim, shumica e këtyre njerëzve as nuk arrinin të shihnin mjekun kur kushtet e tyre u përkeqësuan sepse nuk ka mjekë në dispozicion. Nuk është vetëm problemi i mungesës së shtretërve në spitale, por edhe i punonjësve tw shëndetësisw, pra në thelb ka mungesë të mjekëve", tregon Munda.