Transmetuar më 06-04-2020, 14:16

Ishte një prej njoftimeve më të pritura prej ditësh, ku qytetarët do të njiheshin me rregullat e reja të qarkullimit në kushtet e emergjencës së koronavirusit, por Kryeministri Edi Rama zhgënjeu, duke përgënjeshtruar vetveten.

Ai njoftoi lehtësimin e masave të reja me pikatore por shtyu pa afat, oraret e reja të shtetrrethimit, duke mos dhënë një datë fikse për hyrjen e tyre në fuqi.

Një përgënjeshtrim i vetvetes, teksa të premten te emisioni “Zonë e Lirë” i Arian Çanit, njoftoi se ditën e hënë do të aplikohen masat e reja me orar të ri dhe të zgjeruar për qarkullim, pazar dhe lëvizje për punë.

Por ky njoftim u përsërit edhe me një video-mesazh të regjistruar, ku ai njoftoi se do të nisë nga e hëna aplikimi i masave të reja, mirëpo kreu i qeverisë sërish nuk u qëndron deklaratave.

Kjo gjë provohet pikërisht në faktin se ai shtyu pa afat aplikimin e orareve të reja, duke i lënë qytetarët në pritje, ose thënë ndryshe duke i ngopur “me lugën bosh”.

Lidhur me masat e lehtësuara të premtuara, në komunikimin e sotëm Rama njoftoi se po planifikohet lejimi i qarkullimit të plotë tiautomjeteve private për punonjësit e automjeteve të lejuara, sipas rregullave të reja.

Po ashtu detajoi se marrja në automjete e personave nga familja apo personave të tjerë sjell ndëshkimin me disa vite, heqjen e lejes së drejtimit, marrjen e automjetit dhe heqje lirie.

“Marrja në makinë e çdo pensionisti përveç rasteve të urgjencës, do të ndëshkohet me disa vite heqjen e lejes së drejtimit dhe me heqje lirie. Hapim pak orarin e lëvizjes për pazar në 90 minuta dhe kryerja me automjet privat e pazarit do jetë e mundur me sanksione të forta të heqjes së lejes së drejtimit për disa vite, heqjen e makinës po aq vite dhe heqje lirie për shkelësit”, deklaroi Rama.

Për lokalet, tha se janë vënë gjoba, janë mbyllur aktivitete, por se vijon historia.

Ndaj paralajmëroi se “hapja e aktivitetit të ndaluar dënohet me heqje lirie, heqje patente, bllokimin e mjetit dhe konfiskimin e gjithçkaje ka brenda lokali”.

Për fashën orare tha se po diskutohet, ndërsa nënvizoi se nuk është fasha orare problemi.

Megjithatë nënvizoi se hyrja e rregullave të reja në zbatim, nuk do të nisë pa u siguruar në terren me ekspertët se si do të procedohet. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE