Transmetuar më 06-04-2020, 14:51

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 95 për qind e atyre që kanë vdekur nga koronavirusi në Evropë, janë të moshës mbi 60 vjeç.

Evidencën e moshave e bëri Dr. Hans Kluge, kreu i zyrës së OBSh-së në Evropë. Ai tha se mosha nuk është i vetmi faktor rreziku për sëmundjen. Z.Kluge veçoi se ndër çdo 100 të vdekur 95 prej tyre janë mbi 60 vjeç. Pesë të tjerët janë midis moshave 50 deri 60 vjeç, duke përfshirë dhe raste më të rralla nën 50 vjeç.

"Vetë nocioni se COVID-19 prek vetëm njerëzit e moshuar është faktikisht i gabuar. Siç tha një kolegu im kohët e fundit, të rinjtë nuk janë të pathyeshëm. Dhjetë deri 15 për qind e njerëzve nën 50 vjeç kanë infeksion nga të moderuar në të rëndë. Raste të rënda të sëmundjes janë parë tek adoleshentët apo të rinjtë në të 20-tat, dhe shumë prej tyre përfundojnë në kujdes intensiv dhe disa fatkeqësisht ndahen nga jeta", tha z.Kluge.

Kluge thotë se më shumë se katër në pesë nga të moshuarit e vdekur kishin të paktën një sëmundje tjetër kronike, si sëmundje kardiovaskulare, hipertension ose diabet.

Nga ana tjetër, ka njoftime për persona mbi 100 vjeç, të shtruar në spital për COVID-19 dhe që tani janë shëruar plotësisht.

Dr. Kluge shprehet se te shumica e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton simptoma të buta ose të moderuara, si ethe dhe kollë që largohen në dy deri në tre javë, ndërsa te disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund të shkaktojë sëmundje më të rënda dhe mund të çojë në vdekje.