Transmetuar më 06-04-2020, 15:55

Të gjitha shpenzimet funerale të familjeve që kanë humbur të afërmit prej COVID-19, do të mbulohen nga Bashkia e Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një nga vendimet e sotme të Këshillit Bashkiak do të jetë pikërisht lehtësimi i familjeve që në këtë periudhë të vështirë humbasin të afërmit e tyre.

“Kam bërë një propozim për mbledhjen e stotme të Këshillit Bashkiak: të gjitha shpenzimet funerale, sidomos të familjeve që kanë humbur dikë prej virusit, t’i mbulojë bashkia. Kjo është një luftë dhe këta njerëz, për shkak të një viroze, ranë në betejë, ndaj funeralet do t’i mbulojmë ne si shpenzime sepse nuk dua që këto familje, mes 100 halleve, të jenë duke vrarë mendjen edhe për këtë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se në këtë periudhë nuk do të mungojë ndihma për asnjë familje në nevojë apo të moshuar që jeton vetëm. Ai siguroi familjet që jetojnë në çadra ose në shtëpi-kontenierë, se do të kenë gati shumë shpejt edhe banesat e reja./b.l/noa.al/