Transmetuar më 06-04-2020, 15:57

Një burrë nga Kalifornia në SHBA, i cili u diagnostikua me COVID-19 dhe më pas u shërua, ka dhuruar plazmën e tij për të ndihmuar të tjerë persona të luftojnë virusin vdekjeprurës.

Më 6 mars, Xhejson Garsia konstatoi se kishte një kollë të lehtë dhe pak bllokim. Siç raporton rrjeti amerikan i lajmeve, CNN, inxhinieri 36-vjeçar nga Eskondido, Kaliforni, nuk i kushtoi shumë rëndësi simptomave të tij, por më pas, gjatë një udhëtimi për arsye pune, ai pa që dhembja e kokës iu shoqërua edhe me kollë.

Brenda një dite, ai filloi të shfaqte edhe temperaturë dhe dhimbje të trupit që iknin e vinin. Kjo gjë u pasua me vështirësi në frymëmarrje.

Pas shtrimit të tij në spital dhe mposhtjes së virusit, autoritetet shëndetësore në spitalin “St. Joseph” në kontenë Orinxh, Kaliforni, njoftuan në rrjete sociale se po kërkonin dikë i cili ishte diagnostikuar me koronavirus dhe i cili ishte shëruar në mënyrë që t’i nënshtrohej një eksperimenti me qëllim shpëtimin e jetës së një tjetër pacienti me koronavirus.

Kështu, Garsia e pa njoftimin dhe doli vullnetar për të ofruar plazmën e tij për pacientin tjetër, i cili ishte në gjendje mjaft serioze. Plazma e Garsias i shkoi edhe tre pacientëve të tjerë dhe pacienti që ishte në gjendje më serioze ka shfaqur përmirësime.

Xhejson Garsia që shihni në fotot, tha se është mjaft i gëzuar për faktin që ka arritur të kontribuojë për trajtimin e personave të tjerë deri në nxjerrjen e një vaksine kundër virusit. /e.i/noa.al/