Transmetuar më 06-04-2020, 16:44

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i ka bërë thirrje bashkëpunimi qeverisë për ti dhënë fund pandemisë së koronavirusit.

Në një komunikim live, Ademi tha: “Shkodranët nuk kanë marrë asnjë ndihmë për situatën e deklaruar të fatkeqësisë. U është shkurtuar numri i familjeve ndihmë ekonomike. U janë sjellë deri tani 200 pako ndihmë ushqimore për 250 mijë banorë. Kërkoj që të rritet numri i testeve për qytetarët për të shkëputur zinxhirin e infeksionit në Shkodër. Po kaq emergjente është edhe mbështetja financiare dhe ushqimore. Kam ofruar dhe ofroj edhe sot, të gjithë bashkëpunimin për tejkalimin me sa më pak probleme të situatës së pandemisë, edhe pse ka rënë në veshin e shurdhër të qeverisë”.

Kryebashkiakja i bëri thirrje edhe qytetarëve që të respektojnë kufizimet dhe të dëgjojnë zërin e mjekëve dhe infermierëve.

Në fjalën e saj, kishte edhe një lutje për qeverinë: “Ti vijë në ndihmë qytetarëve të Shkodrës, banorët kudo që janë. Të bëjë testime për persona që kanë simptoma të ngjashme me Covid-19.

Sigurisht ka nevojë edhe biznesi i Shkodrës. Kjo është lutja ime dhe shpresoj që të mos kemi më shumë vështirësi se sa kemi patur deri tani”. Me gjashtë rastet e reja ditën e sotme, numri i të infektuarve në qarkun Shkodër ka arritur në 48, ndërsa në Bashkinë Shkodër në 44 raste./a.m/noa.al

Shkodër/ Konfirmohen 6 raste të reja me koronavirus, mes tyre dhe një infermier