Transmetuar më 06-04-2020, 22:22

Qeveria italiane aprovon dekretin që "derdh" 400 miliardë euro për sipërmarrjet italiane.

Lajmi konfirmohet nga mediat vendase ku thuhet se 200 miliardë do të jenë për tregun brendshëm, ndersa 200 të tjera për të forcuar eksportet.

“Me dekretin e sapo aprovuar, ne japim një likuiditet të menjëhershëm prej 400 miliardë eurosh për sipërmarrjet tona, 200 për tregun brendshëm, 200 të tjera për të forcuar eksportet. Është një fuqi zjarri”, tha kryeministrit Giuseppe Conte në konferencë për shtyp, pas aprovimit të dekretit.

Sipas kreut të qeverisë, ky është një instrument shumë efikas për të mbrojtur të gjitha sipërmarrjet që kryejnë aktivitete me rëndësi strategjike.

Conte beson se kur gjithçka të përfundojë në vend "do të ndodhë një pranverë e re e Italia do të marrë frytet e këtyre sakrificave".

Kryeministri shtoi se kjo është emergjencë jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike dhe sociale.

“Në prill do të kemi instrumente që do të mbrojnë familjet si edhe punëtorët, sidomos ata në vështirësi”, tha Conte.

Kujtojmë që Italia është shteti që u "godit" më fort nga koronavirusi ku 16.523 kanë humbur jetën.

Situata e krijuar nga koronavirusi, i dha një goditje të fortë edhe ekonomisë së këtij vendi./a.k/noa.al/