Transmetuar më 06-04-2020, 23:38

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sonte bëri një thirrje të fortë për të bërë sa më shumë testime pasi po luhet me jetën e shqiptarëve.

Basha tha se Shqipëria ka numrat më të ulët të testimeve të koronavirusit në Europë. Por në këtë mënyrë, nuk kuptohet shkalla reale e infeksionit në vend.

Prandaj sipas Bashës, duhen bërë sa më shpejt testime të shumta pasi këto do të na ndihmojnë që të ndërpresin zinxhirin e transmetimit.

“Ne duhet të kemi informacion sa më të qartë për gjendjen. Nëse nuk testojmë, nëse nuk njohim gjendjen e vërtetë të infeksionit, nëse testimet vazhdojnë mbeten më të ulëtat ose nga më të ulëtat në Europë atëherë kuptohet që përmasat e infeksionit që ne dimë janë më të vogla se realet. Nëse nuk testojmë dhe evidentojmë personat që janë ,bartës apo të infektuar, do të zgjatet karantina, do të zgjaten efektet ekonomike, do të shtohen kostot e jetëve të humbura. I gjithë izolimi merr kuptim nëse kjo kohë përdoret për të testuar sa më shumë. Duke nisur me mjekët, policinë, administratën që është në shërbim.

Ne po kërkojmë prej më shumë se 3 javësh testim maksimal për personat që janë të ekspozuar dhe ata që janë infektaur dhe ata që janë rreth tyre. Nëse një person i infektuar evidentohet dhe ka qenë në kontakt me 12, 13 persona të tjerë, nëse nuk i testojmë ata kthehen në mbartës virusi vazhdon të përhapet. Prandaj duhen testuar sepse në këtë mënyrë ndërpresim apo kontribuojmë për të ndërpresë zinxhirin e transmetimit. Nëse nuk e bëjmë këtë atëherë na rroftë izolimi dhe distancimi social”, tha Basha sonte në intervistë në distancë për Tv Klan.

Basha iu përgjigj edhe Kryeministrit Rama. Sipas Bashës, Rama kërkon që të shndërrojë në debat politik diçka të cilës nuk i përgjigjet dot. Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë që të ndalojë sulmet dhe retorikat politike ndaj opozitës.

“Dëshiron ta shndërrojë në debat politik atë që nuk i përgjigjet dot. Do të refuzoj të bëj debat sepse bëhet fjalë për jetën e shqiptarëve dhe sa kohë bëhet fjalë për jetë njerëzish kam refuzuar dhe do të refuzoj të bëj debat dhe të bëj retorika politike. Unë nuk lodhem t’i kërkoj kryeministrit të mos harxhojë më kohë me debat politik, as me retorikë dhe as me sulme”, tha Basha.