REDAKSIONALE NOA/ Pagën shtesë duhet ta marrin bluzat e bardha në të gjithë Shqipërinë!
Transmetuar më 07-04-2020, 14:53

Kryeministri Rama, në ditët e para të shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Shqipëri, njoftoi shpërblim një mijë euro në muaj për mjekët dhe 500 euro për anëtarët e tjerë të ekipeve mjekësore në spitalin Infektiv i kthyer tërësisht në COVID-19, duke përfshirë dhe ekipet e autoambulancave. Ky vendim përcakton pagesën shtesë deri në përfundim të situatës. Argumenti ishte mëse i drejtë: Përballen me infeksionin e rrezikshëm dhe punën e rëndë për shkak të tij.

Fillimisht vendimi u përshëndet. Por ecuria ndryshoi dhe kjo pritej: Rastet e infektimit me koronavirus që në ditën e dytë lindën dhe në Durrës e më tej në thuajse të gjitha qarqet e vendit. Në këto kushte, vendimi i qeverisë duhet të riformulohej dhe të përfshinte në shpërblimin e përmuajshëm edhe ekipet mjekësore në rrethe.

Kjo kërkesë mbështetet pikërisht në argumentin që vetë Rama dha, kur shpalli planin e shpërblimeve: Përballje me koronavirusin dhe fluksin e punës për këtë shkak.

Lind pyetja: A nuk po përballen edhe jashtë Infektivit të Tiranës, bluzat e bardha, me infeksionin e rrezikshëm?

Duket se këtë pyetje që përgjigjen e ka të qartë: PO, e ka kuptuar edhe Rama. Ai ka urdhëruar ministren e Shëndetësisë që të aplikojë te të gjitha bluzat e bardha në vend, një shpërblim mbi pagë prej 5 mijë lekësh.

Por ky bonus, duket të jetë fyes, në raport me përballjen e bluzave të bardha me situatën e paprecedentë. Ata po marrin një shumë simbolike që është shumë larg asaj që po i jepet ekipeve mjekësore në Tiranë.

Zgjidhja në këtë rast do të ishte më e pranueshme, nëse bluzave të bardha në rrethe do t’u jepet një shpërblim të paktën 50 për qind më i ulët se ai që po aplikohet tek punonjësit e Infektivit.

Kjo ndërhyrje e qeverisë duhet të bëhet pa vonesë, sepse rrezikon një reaksion zinxhir me pasoja të rënda për qytetarët. Mjekët, infermierët dhe anëtarët e tjerë të ekipeve mjekësore në rrethe, demotivohen dhe ashtu siç kanë dhënë sinjale, mund të përballen me dilemën që ka përfshirë qindra kolegë të tyre në Itali, të cilët refuzojnë të përballen me pacientë që ankohen për simptoma COVID-19, nga frika se mund të infektohen edhe vetë.

Për më tepër, janë disa raste jashtë Tiranës, të bluzave të bardha që janë infektuar nga koronavirusi.

Pra, kur këta punonjës mjekësorë po përballen ashtu si ata të Tiranës, me rrezikun potencial dhe madje faktik të infektimit me COVID-19, përse duhen përjashtuar nga bonusi i vijës së betejës? /noa.al/

Loading...