Transmetuar më 07-04-2020, 17:34

Një ditë pas njoftimit se Bashkia e Poliçanit vendosi që të mbyllë çdo shërbim dhe u bëri thirrje qytetarëve të marrin masa për furnizimin me ushqime bazë për të paktën 15 ditë, flet kryebashkiaku Adriatik Zotkaj dhe tregon frikën që ai ka pas konfirmimit të rastit të parë në qytet.

Në emisionin “Shqipëria Live” në ‘Tch’, me anë të një lidhjeje në “Skype” Zotkaj, konfirmoi se në Njësinë Administrative Poliçan është konfirmuar një person me COVID-19 dhe si pasojë është detyruar që të marrë masa drastike.

Duke qenë se Poliçani është qytet i vogël, thotë ai, jemi detyruar që të mbyllim të gjithë dyqanet për të ndaluar zinxhirin e përhapjes.

Frika e Zotkaj qëndron në faktin se në të gjithë Poliçanin ka rreth 800 familje me anëtarë të sëmurë kronikë dhe nëse ata infektohen pasojat mund të jenë edhe fatale.

Ndërkohë, nga krahu tjetër, Zotkaj konfirmon se me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë siguruar tamponë dhe i janë dërguar të gjithë kontakteve me të infektuarin, ndërsa aktualisht janë në pritje të përgjigjeve.

Përveç lajmeve të “këqija” kryebashkiaku ndau dhe një lajm të mirë. Personeli mjekësor që është marrë me trajtimin e pacientit të infektuar, ka rezultuar negativ, në testin e bërë për virusin korona.

“Duke qenë se në qytet janë të pakta njësitë e shërbimit dhe të gjithë qytetarët dynden njëkohësisht, kemi marrë këto masa drastike. Menjëherë sapo u njoha me rastin e të infektuarit në qytetin tonë, kontaktova Ministrinë e Shëndetësisë dhe menjëherë u morën tamponat e të gjithë personave dhe stafit mjekësor në Poliçan dhe rezultuan negativ.

Qytetarëve tanë i janë ofruar të gjitha nevojat që ato kanë. Në çdo bllok pallatesh, ka administrues të bashkisë, që janë në shërbim të tyre. Përveç 800 familjeve me të sëmurë kronikë, frika ime qëndron në faktin që jemi qytet i vogël dhe banorët kanë kontakte me të gjithë. Sot kemi nisur gjurmimin e kontakteve që ka pasur pacienti i infektuar. Po ashtu kemi marrë dhe tamponat e kontakteve që ka pasur personi i infektuar dhe jemi në pritje të përgjigjeve”, u shpreh Zotkaj.