Transmetuar më 05-04-2020, 09:50

Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Telekom Albania njoftuan fillimin e një partneriteti në mbështetje të luftës kundër pandemisë Coronavirus: Fushatën e përbashkët “Përhap Fjalën, Jo Virusin”.

Në qendër të fushatës është një portal interneti ku secili qytetar gjen informacion të saktë për këtë sëmundje, për mënyrat e parandalimit të saj, si edhe këshillat për të zbatuar distancimin social. Njëkohësisht kjo faqe lidhet me burime të besueshme shëndetësore, në mënyrë që publiku të mbrohet nga informacionet e pasakta. Vizitoni portalin këtu.

Portali i ri e përditëson vazhdimisht informacionin dhe udhëzon qytetarët edhe për mënyrat e kërkimit të ndihmës nëse është e nevojshme. Në të njëjtin kanal komunikimi, do të ketë edhe seanca ku mjekë të njohur do t’u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve. Gjithçka është falas për publikun.

“Në Shqipëri ka hendek informacioni lidhur me Coronavirus. Komunikimi i besueshëm i informacioneve jetike drejt publikut është vendimtar në parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave të COVID19. Partneriteti me sektorin privat mund të luajë nje rol jetësor në zvogëlimin e mundësisë për transmetim dhe pasojave në shoqëri. Në këtë kontekst, jemi të kënaqur me partneritetin me Telekom Albania për të përhapur Fjalën dhe jo virusin, ashtu si dhe titulli i fushatës nënkupton. UNDP do mbështetet në informacionin e ofruar nga agjencitë simotra si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe zyrës qendrore të UNDP,” thotë Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri.

Emil Georgakiev, drejtor ekzekutiv i Telekom Albania, thotë se “Telekom Albania ka bërë të mundur që punonjësit të punojnë nga shtëpia, ndërkohë që publikut i ofrohen të njëjtat shërbime dhe cilësia më e mirë e rrjetit. Shprehim kënaqësi që krijojmë partneritet me UNDP dhe bëjmë që, nëpërmjet kapaciteteve tona teknologjike, publiku të marrë informacion të saktë në lidhje me COVID-19. Në këtë situatë të paprecedentë, të gjithë duhet të japim kontributin tonë për të kthyer normalitetin”.