Transmetuar më 11-04-2020, 19:58

Ju mund ta porositni ushqimin t’ju vijë në shtëpi me një motor të vogël, por, nëse paguani diçka më shumë, ushqimi mund t’ju vijë te dera me një Ferrari F430

Teksa shumë aktivitete biznesi po hasin vështirësi të mëdha për shkak të bllokimit që ka shkaktuar përhapja e COVID-19, kompanitë e ushqimeve të shpejta po lulëzojnë. Dhe ushqimi i shpejtë mund të vijë më shpejt me një Ferrari F430.

Malajzia, si shumë vende të tjera të botës, po i nënshtrohet masave shtrënguese për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit.

Sipas Dailystar, një restorant në Kuçing u detyrua të mbyllej, por menaxherët menduan që ta rihapnin dhe të shpërndanin ushqime nëpër shtëpi. Restoranti “Southbank Grill & Chill” i shpërndan porositë e klientëve me një Ferrari që arrin një shpejtësi maksimale deri në 360 km në orë.

Duke qenë se restorante të tjera mund të bëjnë vetëm shpërndarje nëpër shtëpia, menaxherët e këtij restoranti menduan se kjo mënyrë do t’ia shtonte xhiron e biznesit restorantit. Por edhe kjo ka koston e saj.

Një person që do që t’i shkojë ushqimi me këtë mrekulli të automobilizmit duhet të paguajë afro 20 euro më shumë se zakonisht. Kjo ka bërë që njerëzit të bëjnë fotografi me këtë makinë dhe fotografitë t’i ndajnë me miqtë e tyre në rrjetet sociale. /e.i/noa.al/