INFOANALIZË/ Si është vdekshmëria në të gjitha moshat, e të infektuarve me Covid-19 në Itali
Transmetuar më 16-04-2020, 18:27

Italia aktualisht është vendi më i goditur i Europës nga koronavirusi dhe pësoi shumë vdekje për shkak të infeksionit i cili u përhap pasivisht në kushtet kur sistemi shëndetësor nuk e përballoi fluksin.

NOA.al ka marrë shifrat zyrtare të rasteve të infeksionit në Itali duke i analizuar ato për disa zëra, ku më kryesorja është vdekshmëria te moshat.

Analiza përfshin të gjitha rastet e deridjeshme, 15 prill 2020.

Për moshën më të vogël, 0-9 vjeç është regjistruar një fëmijë i vdekur. Nuk ka viktima në moshat 10 deri 19 vjeç. Ndërsa janë 7 të vdekur në moshën 20 deri 29 vjeç. Konstatohet se kanë humbur jetën 39 njerëz të moshës midis 30 deri 39 vjeç.

Për moshën 40 deri 49 vjeç kanë vdekur 173 persona. Për moshat 50 deri 59 vjeç ndërruan jetë 746 persona. Kurba rritet tek moshat më të avancuara: Kanë humbur jetën 2.242 njerëz të moshës 60 deri 69 vjeç. Ndërkohë, 6.074 vetë që kanë vdekur ishin të moshës midis 70 deri 79 vjeç. Kurse 7.890 vetë ishin të moshës 80 deri 89 vjeç dhe 2.335 njerëz të vdekur ishin të moshës 90 vjeç e lart.

Në grafikun e mëposhtëm, shihen shifrat e të infektuarve në të gjithë Italinë, ku numrin më të lartë e ka Lombardia me aktualisht 32.921 raste aktive dhe më të ulëtin, Molise me 206 raste aktive.

Në Lombardi deri më 15 prill ditën e djeshme, ishin 62.153 të infektuar mes të cilëve humbën jetën 11.377 njerëz. Kurse në Molise u regjistruan gjithsej 263 të infektuar me 15 jetë të humbura.

Një tabelë tjetër që publikuan autoritetet italiane, është vërtet domethënëse duke vënë në pikëpyetje sa ishte i suksesshëm lockdown që ndërmori qeveria.

Deri më 11 mars kurba ishte më pak se 10 mijë të infektuar. Pas kësaj dite kur u morën masat kufizuese, kurba shënoi vetëm rritje duke arritur në mbi 105 mijë raste pozitive nën mbikëqyrje mjekësore, pra ende të pashëruar, ndër 165.155 të infektuar gjithsej.

Ekspertët thonë se kurba shënoi rritje pavarësisht masave kufizuese, për shkak se ajo kishte nisur që më 21 shkurt dhe duke qenë se u vonuan kufizimet tre javë pas rasteve të para, ato nuk vlejtën sa duhet. Megjithatë vlerësohet se kufizimet që futën njerëzit në karantinë, arritën të reduktojnë numrin e të vdekurve që mund të ishte edhe më i madh. /noa.al/

Loading...