Transmetuar më 17-04-2020, 08:44

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i caktuar nga qeveria për menaxhimin e situatës së COVID-19, bën të ditur se që prej të hënës së ardhshme do të nisin aplikimet e paketës së dytë financiare.

“Paratë do t’i shkojnë në llogari punëmarrësit. Të hënën nisin aplikimet për paketën e dytë pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave dhe të publikohet në Fletoren Zyrtare”, u shpreh z. Ahmetaj duke nënvizuar se bëhet fjalë për një paketë që do t’u shkojë në ndihmë rreth 810 mijë qytetarëve.

Nga këta, 100 mijë i përkasin të punësuarve nga biznesi i vogël, në grupin e atyre që lejohen të punojnë, 66 mijë në biznesin e madh që një kategori janë punonjës që janë në listë pagesë akoma për biznese që janë të ndaluar dhe një grup tjetër që janë hequr nga puna. Ministri sqaroi se heqja e punës duhet të jetë bërë deri më datë 10 prill.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi tatimpaguesit dhe individët e interesuar se po punon për të implementuar paketën e ndihmës financiare 2, përfitues të së cilës do të jenë një numër i konsiderueshëm punonjësish të bizneseve të vogla dhe atyre të mëdha.

Aktualisht, subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, të mbyllura sipas urdhrave të MSHMS, po aplikojnë për përfitimin e ndihmës financiare për punonjësit e tyre dhe ky proces vijon me ritme të larta, si për pranimin e kërkesave, verifikimin e kritereve dhe më pas pagesën e ndihmës financiare në llogaritë bankare të individëve përfitues.

Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare sipas paketës nr. 2 do të kryhet online, nëpërmjet e-filing, në tatime.gov.al, me anë të një formulari të posaçëm, për plotësimin e të cilit po merren masat e nevojshme që të jetë sa më i thjeshtë, dhe ndërkohë edhe verifikimi i të dhënave dhe kritereve të kryhet me procese të cilat kërkojnë kohë të shkurtër për miratim.

Duke qenë se, aplikimi për ndihmën financiare sipas Paketës nr.2 do të kryhet me Formular të ndryshëm nga ai i Paketës nr.1, dhe do të vlejë për mijëra individë të cilët nuk ishin përfitues sipas VKM nr.254 datë 27.03.2020, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, për të shmanguar rritjen fiktive të numrit të aplikimeve, të mos plotësojnë formularin që aktualisht mund t’i shfaqet në sistem, pasi ai vlen vetëm për përfituesit sipas Paketës nr.1.

Në një njoftim të dytë, DPT do të informojë në lidhje me kriteret që duhet të plotësohen dhe mënyren e aplikimit për përfitimin e ndihmës financiare sipas Paketës nr.2.

Ministri i Rindërtimit pranoi se për gjetjen e parave për dy paketat financiare janë prekur disa prej investimeve publike dhe prokurime të partneritetit publik privat. Ai tha se bëhet fjalë për Rrugën e Arbrit, inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, etj., në mënyrë që të mos prekej deficiti.

“Nuk kemi prekur vetëm Rrugën e Arbrit, ndërsa shkollat e reja janë nga paketa e rindërtimit dhe nuk bëhet fjalë për shkurtime. Nga fondi i rindërtimit do të bëhen 103 shkolla”, u shpreh z. Ahmetaj duke bërë të ditur dhe shifrat që u siguruan nga këto ndërhyrje; Rruga e Arbrit 1 miliard, inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit 800 milionë lekë, Rapiskan 700 milionë lekë.

Në total, dy paketat financiare, tha Ahmetaj, përbëjnë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Për një vend si Shqipëria nuk është pak dhe është një nga paketat më të konsiderueshme në rajon”, tha ai. Paratë do të sigurohen nga rritja e borxhit, ku ministri tha se përveç marrjes në tregun e brendshëm dhe në tregun e huaj, po përgatiten që të dalim për Eurobond.