Transmetuar më 21-04-2020, 17:12

Kur pushteti arrin ti heqë qafe këto dokumenta ndjehet padron mbi çdo qytetar. Ky është momenti që shoqëria është e sunduar, jo më e qeverisur!

Nga Ylli Manjani

Cilido që mendon se nxjerrja nga fuqia e Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës së Republikës, si dhe ligjeve normative kuadër, nuk ndikojnë në jetën e tij/saj të përditshme e ka GABIM!

E ka GABIM për vete, por edhe për shoqërinë ku jeton. Në çdo molekulë oksigjeni, në çdo çapë ushqim e në çdo njësi dinjiteti njerëzor gjenden këto dokumenta ligjore themelorë. Mungesa e tyre fik dritën, pret oksigjenin vret shpresën për të gjetur zgjidhje diku, qoftë dhe jashtë Shqipërie.

Këto dokumente ligjore themelore, janë garancia e vetme për bashkjetesën demokratike të qytetarëve me shtetin.

Kur pushteti arrin ti heqë qafe këto dokumenta ndjehet padron mbi çdo qytetar. Ky është momenti që shoqëria është e sunduar, jo më e qeverisur!

Kush mendon se ka pozitë të privilegjuar në një shoqëri të tillë, pra ku pushteti sundon pa ligje, gjithashtu e ka GABIM. Sundimtarët nuk pranojnë privilegje për askënd. Të privilegjuarit e sundimit janë thjesht koka turku për t’u sipas një kalendari të paparashikueshëm.

As ata që quhen "Oligarkë" nuk i shpëtojnë kësaj llogjike. Sundimi nuk pranon ortakëri…

Gjithashtu, kush mendon se kjo gjendje është e përkohshme dhe se pushteti do ti kthehet vetë normalitetit, prap e ka GABIM! Pushteti ka arritur atë që në asnjë ëndërr se kishte menduar të arritshme….

Beteja sot e në vijim nuk mund të jetë për oriz e makarona lëmoshe, por për mbylljen e pushtetit në zonën e Konventës, Kushtetutës dhe ligjeve Normative. Beteja do jetë për vendosjen e shtetit të normave duke hedhur në kosh shtetin e masave ligjore.

Në fillim është liria pastaj vijnë të tjerat. Nuk mund të jetohet me lëmoshë, as me qese të çpifura propagande. Logjika "ha e dhit" na çon drejt kafshës, jo njeriut.

Beteja për liri e të drejta nuk ka për të qenë e lehtë, përballë një pushteti super mashtrues dhe që ka në dorë çdo gjë.

Por është e vetmja betejë që duhet bërë. Dhe nuk bëhet vetëm, por të gjithë bashkë.

Sa më shumë kundër sundimit, kundër poshtërimit kolektiv, kundër frikës që ka mbjellë pushteti, aq më e lehtë do jetë triumfi.

Më vjen keq që nuk e shoh opozitën politike në këtë skalion, ku shoqëria e sotme ka ekstemisht nevojë!!!

Varfëria, kriza ekonomike, hajnia në tendera, mos ndalja e drogës, ndërsimi i kriminelëve ndaj shoqërisë janë tema të rëndësishme, por pa shoqërinë e lirë e demokratike nuk ngjisin…