Transmetuar më 23-04-2020, 12:04

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili është edhe i ngarkuari për situatën e koronavirusit, shpjegon se kush përfiton nga mbështetja sociale në kushtet e emergjencës.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare, ai tha se janë miratuar nga bankat 72 aplikimeve të bizneseve të mëdha për mbështetje për pagat e punonjësve dhe se janë 22 mijë familje jashtë asistencës sociale të cilët futen në paketën financiare.

“52 mijë qytetarë kanë marrë ‘pagën e luftës’, 11 mijë të aprovuar janë në paketën e dytë për 40 mijë lekëshin. Paratë po shkojnë tek qytetarët që kanë më shumë nevojë. Sot Kryeministri po shikon që të shtojë pikëzimin, tek ata familje që kanë dalë nga skema për ndihmë ekonomike”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas tij, gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet shtyrë, ndërsa shigjetoi opozitën parlamentare se shfrytëzon kohën për replikë boshe politike.

Ai tha se të diskutosh nëse duhet shtyrë 30 apo 60 ditë është absurde, pasi sipas tij, po flitet për jetë njerëzit dhe deri më tani janë 27 viktima.

“Nëse do merrnim numrat e Serbisë dhe Maqedonisë dhe do ecnim me logjikën e Serbisë, Shqipëria do të kishte 100 fatalitete, po të kishim trajektoren e Italisë, Zot na ruaj. Nëse do ishte ajo situatë ju do thonit fajin e ka qeveria. Është përgjigjja e qeverisë dhe e juaja nëse doni për të frenuar përhapjen e virusit. Dhe diskutimi duhet të jetë në funksion të jetës së qytetarëve dhe me dritë në fund të tunelit”, deklaroi Ahmetaj. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE