Transmetuar më 03-05-2020, 18:41

Ndërsa vendi ndodhet prej javësh të tëra në izolim dhe lehtësimi i masave po bëhet me rregulla strikte të distancës e higjienës, duket se e njëjta gjë nuk është duke ndodhur në avionët e Air Albania që sjellin shqiptarët e riatdhesuar në shtëpi.

Një ngjarje që nuk ishte parë ndonjëherë të ndodhë në këtë kohë pandemie, shfaqet në bordin e avionit Air Albania, në kushtet kur distanca fizike duhet të ishte primare.

Njerëz duke qëndruar në këmbë, disa duke u mbajtur dhe duke varur duart lart dhe shumë pranë njeri-tjetrit, thjesht ngjitur me njëri-tjetrin, jo vetëm në ulëset, por edhe në korridorin mes tyre. Kjo është pamja e njerëzve në avionin e Air Albania dy ditë më parë në fluturimin nga Frankfurti në aeroportin e Rinasit.

Nuk është e qartë nëse foto është shkrepur pasi avioni është ulur dhe presin të dalin jashtë tij apo dhe gjatë udhëtimit. Por në çdo rast, distanca fizike duhet të ishte e detyrueshme dhe jetike për të shmangur infektimin e mundshëm nga koronavirusi.

Mënyra se si në këtë foto udhëtarët janë shumë pranë njeri-tjetrit, vjen si karshillëk edhe i stafit të avionit, ndërsa distanca fizike është një nga masat e urdhëruara nga qeveria dhe shumë të rekomanduara nga OBSH, e për më tepër për ata që udhëtojnë dhe vijnë nga zonat e kuqe.