FSHF i shkruan qeverisë: Na ndihmoni të implementojmë protokollin
Transmetuar më 04-05-2020, 15:48

Teksa futbolli në Shqipëri vijon të jetë i pezulluar për shkak të situatës së koronavirusit, Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar me një letër zyrtare qeverisë.

Në letrën drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe asaj të Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, prezantohet protokolli mjekësor për rinisjen e aktivitetit sportiv.

“Përmes kësaj shkrese iu kërkojmë një grup punë të përbashkët për implimentimin e këtij protokolli. Ky protokoll është përgatitur pas konsultimeve me ekspertët e FIFA-s, UEFA-s dhe disa federatave homologe si dhe me stafin mjekësor të ekipeve kombëtare”, shkruhet në letër.

Kjo është kërkesa e dytë zyrtare pas letrës së parë dërguar më 28 prill, por që ende nuk ka zgjidhje.

Në protokoll parashikohet skenari i detajuar se kush hyn në stadium dhe më konkretisht:

-Zyrtarët e ndeshjes.

-10 persona zyrtarë të autorizuar nga çdo skuadër, qëndrimi është i lejuar vetëm në tribunë dhe me një largësi prej 2 metra nga njëri-tjetri.

-4 fëmijë për kapjen e topave.

-Përgjegjësit e sigurisë publike 4 persona, stjuardët e parashikuar në zonat e piketuara deri në 20 persona, zjarrfikësit 4 persona, operatorët e ndihmës së shpejtë, të parashikuar sipas ligjit.

-Vetëm operatorët televizivë dhe gazetarët e rrjeteve titullare të drejtave të transmetimit “live”.

-Fotografët zyrtarë dhe zyra e shtypit e të dyja skuadrave.

-Gazetarët dhe fotografët e autorizuar nuk do të jenë më shumë se 20 vetë, por ndërkohë ata do të jenë të ndaluar që të kenë kontakte me personelin e dy skuadrave.

-Në tribunën e shtypit, të gjithë gazetarët dhe fotografët e akredituar do të duhet të qëndrojnë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit.

-Në terrenin e lojës do të mund të zbresin vetëm fotografët zyrtarë të të dyja klubeve.

-Ndërsa ata të jashtmit do të kenë një vend të rezervuar dhe të kushtëzuar, por kurrsesi brenda terrenit të lojës.

Udhëzimet për ushtrimin e aktivitetit

-Një shërbim mjekësor sanitar, i pajisur me skaner për matjen e temperaturës, në hyrjen e stadiumit, për të gjitha subjektet e autorizuar.

-Një dokument me të gjitha normat higjieno-sanitare të adoptuara në secilin impiant sportiv, përpara zhvillimit të çdo eventi, i cili u duhet prezantuar autoriteteve, në rast kërkese.

-Një modul elektronik për të certifikuar subjektet që do të hyjnë në impiant dhe masa kontrolluese për të evituar sa më shumë rrezikun e infeksionit.

-Do të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;

-Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës, para, gjatë dhe pas ndeshjeve; Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumbullim tjetër të detyrueshëm në vende të mbyllura;

-Hotel ekskluziv për ekipin ose katin/ zonat ekskluzive për të shmangur kontaktin me vizitorët e tjerë të hotelit. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE 

Loading...