Transmetuar më 04-05-2020, 20:02

Mbarë bota dhe Shqipëria po përballen me një situatë të pazakontë, një krizë shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, i cili i ka detyruar qeveritë të ndërmarrin masa ekstreme dhe të pezullojnë një sërë aktivitetesh në jetën publike. Banka e Shqipërisë thotë se duhet të menaxhojë situatën ekonomike, e cila është ndikuar jo pak nga kjo krizë, "për t’i ndihmuar agjentët ekonomikë t’u rezistojnë kushteve të vështira dhe për të krijuar mundësitë për një rifillim të mundshëm sa më të mirë".

Në përgjigje të kësaj situate, Banka e Shqipërisë tha sot se ka marra masa për të mbështetur ekonominë shqiptare të goditur nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Masat kanë synuar zbutjen e efekteve negative në mirëqenien e bizneseve dhe individëve, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Banka e Shqipërisë po monitoron vazhdimisht situatën dhe thotë se mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon, për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar në veçanti.

Objektivi i vendimmarrjes do të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, lehtësimi i kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe kapërcimi i kësaj situate me sa më pak efekte negative që të mos ndikojë zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në këtë drejtim, masat e marra nga Banka e Shqipërisë brenda fushës së saj të kompetencës mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik.