A do të bëjnë pushime shqiptarët këtë vit? Rama tregon kur do të merret vendimi
Transmetuar më 06-05-2020, 11:05

Kryeministri Rama zbulon se si do të bëhen pushimet këtë verë, pasi turizmi është një prej sektorëve të dëmtuar më shumë nga epidemia e koronavirusit.

Rama tha për ‘Abc’ se është duke u studiuar fakti nëse duhet të hapemi në vazhdim më shumë apo nëse duhet të vazhdojmë të ndjekim masat shtrënguese.

Kreu i qeverisë tha se kompanitë turistike janë në vështirësi por jo në pamundësi.

“Puna ka vazhduar. Ajo që ne duam dhe po përpiqemi të bëjmë është të gjejmë një zgjidhje për turizmin, nuk është e thjeshtë, po përpiqemi dhe po diskutojmë disa ide, dhe kemi akoma disa dilema. Dilema është a duhet apo s’duhet të hapemi aq fort. Ne po studiojmë cfarë kanë bërë vendet e tjera dhe do të vendosim në vazhdim”, u shpreh Rama.

Pyetjes se sektori i turizmit ka nevojë për likuiditet, në mënyrë qëmos të vdesë, Rama tha se javët e ardhshme do të përcaktohet se sa i hapur do të jetë.

“Për sa i përket likuiditetit ne kemi në dispozicion të turizmit një instrument të fuqishëm garancie i cili i mundëson operatorëve të fuqizojnë kapitalin e tyre qarkullues. Për sa i përket taksave për turizmin sot Shqipëria i ka më të ulëtat në rajon. Nuk është çështja e TVSH apo e taksave por se sa do ta hapim sezonin, dhe këtë do ta bëjmë duke parë të tjerët, nuk ka ende një vendim”, tha kreu i qeverisë.

PËRDITËSIM LIVE