Transmetuar më 07-05-2020, 16:18
Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka folur të enjten para deputetëve të Parlamentit Evropian për rezultatet e Samitit të Zagrebit, i cili është zhvilluar një ditë më herët përmes një vide-konference.

Ai e ka quajtur si shumë të rëndësishme deklaratën e miratuar nga ajo konferencë dhe zotimin e dyanshëm për një perspektivë evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai në këtë debat është përgjigjur edhe në pyetjet rreth ideve për shkëmbim territoresh, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për çështjen pothuajse të bllokuar të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Pozicioni ynë ka qenë i qartë nga fillimi. Kyçe është ajo për të cilën pajtohen dy vendet. Një marrëveshje rreth së cilës pajtohen dyja palët dhe që nuk paraqet rrezik për shtetet tjera të rajonit”, ka thënë Komisioneri.

Ai ka shtuar se pasi të arrihet te marrëveshja eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë mund të shikohet në elementet e ndryshme të saj.

“Nuk mendoj se shkëmbimi i territorit është një çështje, mendoj e ajo është një çështje dytësore”, ka thënë ai.

Varhelyi ka folur edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai ka thënë se, për fat të keq, nuk ka parë ndonjë lëvizje në Këshill rreth kësaj çështjeje. /REL/