Transmetuar më 08-05-2020, 19:36

Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, i njohur ndryshe si GRECO ka publikuar një sërë udhëzimesh për vendet anëtare që synojnë parandalimin e korrupsionit në kontekstin e urgjencës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Në një bisedë më Zërin e Amerikës sekretari ekzekutiv i GRECO-s, Gianluca Esposito thotë se ndërsa emergjenca kërkon ndëhyrje të shpejta, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje fushave ku rreziku i korrupsionit është i lartë, si prokurimet publike apo konflikti i interesit.

Tenderat për blerjen e materialeve shëndetësore kanë qenë temë e një debati të nxehtë dhe në Shqipëri, veçanërisht për shkak të faktit se ato u realizuan përmes një procedure të re, që shmang publikimin e të dhënave.

Organi antikorrupsion i Këshillit të Europës, GRECO, vlerëson se “rreziqet e korrupsionit nuk duhen nënvlerësuar ndërkohë që vendet përballen me emergjenca të pamohueshme, dhe pushteti përqëndrohet, liritë e të drejtat shmangen e sasi të mëdha parashë futen në ekonomi për të lehtësuar krizën”. Pikërisht për këtë arsye, GRECO ka lëshuar një udhëzues për vendet anëtare, mes të cilave është dhe Shqipëria

“Për ne mesazhi më i rëndësishëm ishte ngritja e një lloj flamuri portokalli, jo një flamur i kuq, jo një flamur i bardhë, por një flamur portokalli për të tërhequr vëmendjen ndaj zonave të rrezikut që krijohen nga situata e pandemisë, për parandalimin e korrupsionit”, tha për Zërin e Amerikës në një komunikim përmes Skype-t Gianluca Esposito, Sekretar ekzekutiv i GRECO-s.

Ai shpjegon se në situata emergjence “ndërhyrjet urgjente janë të rëndësishme dhe të justifikuara. Sidoqoftë, gjatë kryerjes së këtyre veprimeve një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fushave ku rreziku i korrupsionit është më i lartë, kjo përfshin për shembull prokurimin publik, rreziqet e lobimit në kontekstin e aktiviteteve kërkimore dhe zhvillimore, rreziqet e konfliktit të interesave sidomos brenda pushtetit ekzekutiv, apo si të trajtohet korrupsioni në sektorin privat sepse sigurisht që kompanitë private luajnë një rol të rëndësishëm këtu, si në sigurimin e materialeve për mbrojtje publike, edhe për mbrojtjen personale. Pra, ajo që ne po përpiqemi të themi është ju lutemi, bëni kujdes”, theksoi zoti Esposito.

Sipas GRECO-s, sektori i shëndetësisë është ai që ekspozohet në mënyrë të veçantë, për shkak të rritjes së menjëhershme të nevojës për furnizime mjekësore dhe thjeshtimit të rregullave të prokurimit. /VOA