AMT reagon për VKM e Ramës që ia la Teatrin Veliajt: Është pasuri evropiane
Transmetuar më 08-05-2020, 22:35

Teatri Kombëtar është pasuri europiane dhe si e tillë tashmë është e paprekshme, thotë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në një qëndrim mbrëmjen e sotme.

Në vorbullën e grabitjes së gjithë pushteteve, dhe të gjitha pasurive të mundshme, Edi Rama, pasi i erdhi rrotull dy vite e nuk u afrua dot, po tenton manovrën e rradhës me fshirësen e tij të këpucëve Erion Veliajn, thuhet në qëndrim dhe vijohet:

"Sa herë që bëhet shumë pis, i jep një lustër të mirë vetes, duke nxjerrë në ballë dikë më të pisët se vetja. Manovra është shumë e qartë, po tentohet të miratohet shembja me anë të Këshillit Bashkiak, që është pjesë e pirgut kutërbues të mbeturinave-institucione që kanë mbetur në këmbë nga regjimi kriminal që ka kapur institucionet e shtetit dhe ka përdhosur Kushtetutën"

"Pasi dështuan me ligjin special (që e bënë në Parlament me qëllimin për t’iu shmangur përgjegjësisë penale), prapë nuk guxojnë ta miratojnë përmes Ministrisë së Kulturës, por ia kalojnë Bashkisë Tiranë e cila të procedojë përmes Këshillit Bashkiak si organ kolegjial. Sa frikë kanë! Harrojnë se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet anti-kushtetuese të 30 Qershorit 2019 do të rrëzohen bashkë me Këshillat kukulla".

Për AMT është paradoksale që Teatri Kombëtar i një shteti, të kthehet në pronë e një njësie vendore e sipas saj, kjo as është parë e as është dëgjuar! "Qeveria ia transferon Bashkisë për plaçkë që ta alokojë si borxh dhe mos i llogaritet Buxhetit të Shtetit. Duan ta shtojnë te lista e borxheve që të paguajnë qytetarët e Tiranës, krim i disafishtë!"

Qytetarët që përmenden në vendim si ata me të cilët do të bashkëpunohet për ndërtimin e ndërtesës së re, i kanë dalë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar me qëndresën më të gjatë, më të rëndësishme dhe më domethënëse pas rënies së komunizmit. Banderola “Monument Kulture Mbrohet nga Populli” e dëshmon këtë edhe vizualisht, pavarësisht përpjekjeve të lodhura për ta shqyer atë.

Por në këtë pikë, AMT i kujton një fakt të rëndësishëm qeverisë dhe bashkisë: "Prej 24 marsit 2020 Teatri Kombëtar është zyrtarisht pjesë e listës së Europa Nostra me “7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë”. Ekspertët e Europa Nostra priten në harkun e pak ditëve të vijnë dhe të merren me mundësitë për restaurimin e plotë të tij dhe ky restaurim do të ndodhë nëse e duan ose jo mafiozët në pushtet. Vullneti i Europës është i qartë, i shprehur nga Komisionerja për Kulturën dhe direkt nga Komisioni Europian. Europa Nostra që prej 2013-tës ka shpëtuar 24 site kulturore nga shembja dhe shuarja përfundimtare. Deri më sot nuk ka ndodhur që ndonjë nga ato të shembet – e kush ka forcë të luftojë kundër këtij vullneti?!"

Për AMT, kryetarit të bashkisë, të votuar në votime monopartiake, me më pak se 15% të votave të qytetarëve të Tiranës dhe i cili mban detyrën në mënyrë anti-kushtetuese iu vulos sot vrasja politike. Le të guxojë ai bashkë me minionët e tij t’i afrohen Teatrit Kombëtar.

Në fund të qëndrimit vjen dhe apeli: "U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, të gjithë mbështetësve të kauzës së Teatrit, bojkotuesve të politikës shkatërruese ndaj qytetit ushtruar nga Erion Veliaj që prej vitit 2015, t’i bashkohen Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për të zmbrapsur këtë plan të ri dhune për shkatërrimin e Teatrit. Ka një projekt antikombëtar, për të transformuar çdo vlerë shpirtërore, në truall ndërtimi për ta tharë përfundimisht shpirtin e shqiptarit, por pikërisht për këtë arsye, ky projekt nuk duhet dhe nuk do të avancojë. Për shpëtimin e Teatrit, për shpëtimin e Tiranës në 100-vjetorin e saj si kryeqytet", përfundon deklarata nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. /noa.al/

Loading...