Transmetuar më 10-05-2020, 12:16

E diela është bërë shqetësuese në qarkun Tiranë pasi u regjistruan 10 persona të infektuar nga koronavirusi. Dy prej tyre janë kontakte të rasteve të djeshme në Kamzë, raporton noa.al duke cituar një burim nga spitali Infektiv në QSUT.

I njëjti burim bëri të ditur se 24 orët e fundit u regjistruan tetë raste të reja infektimi. Raportohet se të gjitha rastet janë nga vatra të reja të shpërthyera në kryeqytet. Zyrtarisht nuk konfirmohet sa vatra të reja janë, por MSH klasifikon vatër të re kur një rast të infektuari që gjurmohet evidenton dhe një rast të dytë, kontakt të tij.

Po në 24 orët e fundit u regjistruan edhe një person i infektuar në Fier dhe një tjetër në Krujë.

Lajmi i mirë është se asnjë nga rastet e evidentuara orët e fundit nuk janë në gjendje të rëndë dhe pjesa më e madhe e tyre nën mbikëqyrje mjekësore në kushte shtëpie.

Aktualisht në dy spitalet COVID, Infektivi dhe Sanatoriumi, gjenden 29 njerëz të shtruar, katër prej tyre nën terapi intensive. Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk ka asnjë person në frymëmarrje të drejtuar.

Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publi thotë se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 170 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 nga ku kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë.

Sot rezultojnë të shëruar janë 23 qytetarë. Prej afro dy javësh nuk kemi asnjë humbje jete.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 868 qytetarë. Prej tyre 650 qytetarë ose rreth 75% janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Pavarësisht lehtësimit të masave, qytetarët duhet të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Po ashtu qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (10 Maj 2020) Teste të kryera 10438 Raste pozitive 868 Raste të shëruara 650 Raste Aktive 187 Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon: Tiranë 87 Krujë 58 Shkodër 16 Kamëz 11 Fier 5 Kurbin 3 Elbasan 3 Mirditë 1 Berat 1 Durrës 1 Korçë 1