Transmetuar më 10-05-2020, 23:44

Hapja e plazhit për të gjithë pushuesit pritet të ndodhë në fundjavën e fundit të muajit, 30-31 maj.

Pohimin e bëri drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj. Ajo tha sot se në bashkëpunim me strukturat akomoduese edhe me subjektet e plazhit janë marrë masat për distancimin fizik.

Në plazhe, çadrat do të jenë 3.5 metra larg njëra-tjetrës. Atje do të jetë vrojtuesi i plazhit, i cili do të merret me zbatueshmërinë e masave.

Edhe në ujë pushuesit nuk do të lejohen më afër se 3.5 metra nga të tjerët jofamiljarë.

Në strukturat akomoduese, ushqimi nuk do të jetë me vetëshërbim, por çdo pushuesi do ti serviret në dhomën e hotelit.

“Ka element të shtuar sigurie për sa i takon distancimit social gjatë mëngjesit, nuk do të jenë më ato baret klasike që do të jenë bufe, por mëngjesi do të ofrohet në dhomë kryesisht. Do të ketë masa të tilla që do të jenë vetëm 4 anëtarë të një familje në 10 metër katrorë. Do të ketë masa të shtuara sigurie në ashensor, përdorimi i ambienteve rekreative, sauna, pishina, plazhi gjithashtu është shumë i rëndësishëm. Ky është një element shumë i rëndësishëm. Dhe ky protokoll përfshin edhe masat e shtuara për sa i përket stacioneve të plazhit, ku do të ketë rregullat të shtuara higjiene, do ruhet distance në det 3 metra. Sheslongët do të kenë një ndarje në metra të caktuara, ku do te jenë 4 persona në 10 metra katror”, – sqaroi Ferizaj.

Ndërsa koordinatori shëndetësor do të merret me matjen e temperaturës në mëngjes dhe darkë për turistët e hotelit.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, thotë se përmes këtij protokolli do të përcaktohen se cilat janë masat e sigurisë që një subjekt duhet të respektojë për të ushtruar aktivitetin e tij gjatë sezonit turistik. Ky protokoll do të jetë dhe një certifikatë sigurie për turistët e huaj të cilët presin të vijnë në vendin tonë nga një moment në tjetrin.