Transmetuar më 13-05-2020, 22:50

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme garancinë shtetërore të huasë me bankat tregtare.

Ajo pritet t’u mundësojë bizneseve financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga Covid-19.

Garancia shtetërore është përcaktuar 15 miliardë lekë të cilat janë të ndara në 12 banka të nivelit të dytë.

Në vendim parashikohen kushtet dhe kriteret e marrëveshjes të qeverisë me bankat.

Sakaq ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, në një postim në rrjetet sociale jep detajet dhe thotë se janë 15 miliardë lekë mbështetje nga Qeveria Shqiptare për Garancinë Sovrane 2.

“Garancia Sovrane II, ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga situata e pandemisë dhe me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore. Qeveria garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare”, shkruan Denaj.

Ajo tregon më tej se ky instrument:

-Është në dispozicion për sipërmarrësit në të gjithë sektorët e ekonomisë -Synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime -Ofron mundësi financimi me një afat shlyerjeje deri 5 vjet -Ofron hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj.

"Ftojmë të gjitha bizneset, të mobilizojnë fondet e nevojshme për kapërcimin e efekteve të pandemisë dhe për të hedhur hapat drejt rimëkëmbjes së aktivitetit dhe ekonomisë. Prej javës së ardhme bizneset mund të shprehin interesin pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë. Mbështesim sipërmarrjen", shkruan Denaj./noa.al/