Transmetuar më 15-05-2020, 16:21

Marreveshja e 1 majit mes dy shteteve fqinje për punësimin me procedura të përshpejtuara te deri në 10 mijë punëtorëve në sektorin e bujqesisë në Greqi, ka nisur të konkretizohet.

Janë 204 shtetas shqiptarë që kanë lënë pas vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit përmes pikës së kalimit kufitar Kakavijë në Gjirokastër për të udhëtuar drejt Verias.

Imponuar nga situata e pandemisë, udhëtimi i punonjësve po bëhet me autobusë, ekskluzivisht me firmën e përzgjedhur prej kooperativës, e cila zbaton rreptësisht protokollet e sigurisë së caktuara prej qeverisë greke.

Në autobuz u bëhet testi i Covid-19, e deri në daljen e përgjigjes, punonjësit do të karantinohen në njësite e akomodimit të përzgjedhura prej kooperativës.

Shqiptarët që mbërritën dje në Veria u pritën si heronj. Ata u takuan me biznesmenët dhe fermerët grekë të cilët u dhanë menjëherë paratë e transportit. Po ashtu u janë paguar të gjitha kostot e letrave. Gjithashtu iu sigurua strehim dhe ushqim dhe që sot kanë nisur punën në bujqësi.

Qeveria greke ka shtyrë deri në 15 qershor mbylljen e kufijve me Shqipërinë. Njoftimi i është dërguar të gjitha pikave kufitare me Shqipërinë. Deri në datën 15 qershor do të lejohen të kalojnë kufirin drejt Shqipërisë vetëm shtetasit shqiptarë që ndodhen në Greqi për arsye turistike (90 ditë) dhe drejt Greqisë vetëm shtetasit grekë ose ata shqiptarë që kanë lejeqëndrimi në Greqi.

Po ashtu, drejt Greqisë do të lejohen të udhëtojnë vetëm punonjësit sezonalë, të cilët janë pajisur prej punëdhënësve të tyre me kontratë pune, e konvertuar në lejeqëndrim. Kjo kategori do të udhëtojë vetëm në rastet në të cilat është aprovuar leja e posaçme e qëndrimit