Transmetuar më 16-05-2020, 10:58

Fshati i Atulie’er, në provincën jug-perëndimore kineze të Sichuan, i cili shtrihet në një pllajë shkëmbor 800 metra të lartë, u bë i famshëm pasi ishte një nga më të paarritshmit në Kinë, i vizitueshëm vetëm përmes një shkalle të pjerrët druri.

Tashmë, 84 banorë të fshatit të largët janë zhvendosur në apartamente të reja në një zonë urbane, pranë rajonit të Zhaojue, rreth shtatëdhjetë kilometra larg: si pjesë e përpjekjeve të gjigantit aziatik në luftën kundër varfërisë.

Imazhet e fshatarëve që ngjiteshin në mal për t’u kthyer në shtëpi, ku shpesh mbartin nevojat e fshatit, por edhe fëmijë të vegjël, tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2016. Madje dhe vetë presidenti kinez, Xi Jinping, u interesua për kushtet e jetesës së fshatit me pamje nga gremina. Megjithatë, deri tani, i vetmi përmirësim i madh janë shkallët për të hyrë në fshat të cilët u bënë me çelik.

Sot banorët e Atulie’er, ku shumica i përkasin pakicës etnike Yi, janë zhvendosur në apartamente të mobiluara prej 50, 75 ose 100 metra katrorë, të cilat do të caktohen sipas përbërjes së familjes, dhe që ofron një hapësirë ​​prej 25 metrash katrorë të disponueshëm për person, me çmime të moderuara.

Për të marrë në zotërim shtëpinë e re, duhen paguar 2.500 yuan ose rreth 326 euro për person, një shifër simbolike.

Megjithatë, të ardhurat mesatare për frymë të fshatarëve janë shumë të ulëta: rreth tre mijë yuan në vit, dhe rrezikohet që për të marrë shtëpinë banorët të hyjnë në borxh.

Kush do të mbetet në fshatin shkëmbor të largët, rreth tridhjetë vetë, do të kujdesen për zhvillimin e turizmit, ndërkohë që parashikohet ndërtimi i një teleferiku për transportin e vizitorëve. /a.y/noa.al