Transmetuar më 18-05-2020, 14:52

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit del me deklaratë lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit, gjatë shembjes.

Në deklaratë thuhet se prishja e Teatrit Kombëtar sigurisht që ishte një vendim politik për të cilën përgjegjësit do e marrin përgjigjen nga qytetarët, por me këtë akt është bërë pis edhe uniforma e Policisë së Shtetit.

Në vijim shtohet se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar është bërë në kundërshtim të plotë të kuadrit ligjor në fuqi, me një vendim që edhe pse i marrë nga një Këshill Bashkiak antikushtetues nuk është respektuar ligji për hyrjen e tij në fuqi.

Në bazë të ligjit Nr. 139 të vitit 2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në nenin 55 që bënë fjalë për “votimin” nga ana e Këshillave Bashkiake, në pikën 6 përcaktohet se:

“Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to.”

“Qartësisht Policia e Shtetit është bërë vegël e një procedure të paligjshme që në krye të herës. Policia e Shtetit në kuptim të ligjit duhet të jetë organizatë asnjanëse, ajo duhet t’i bindet vetëm ligjit. Teatri Kombëtar është pronë publike e si e tillë ishte nën administrimin e qytetarëve që e kishin marrë në mbrojtje. Vetëm një vendim gjykate për lirim dorëzimin e godinës do mund të legjitimonte ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zbatimin e një vendimi që fillimisht duhet të merrte fuqi ligjore”, thuhet më tej.

Në vijim kujtohet se ligji Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” që në nenin 17 përcakton detyrat e kësaj organizate dhe konkretisht ndër të cilat:

a) mbron jetën, shëndetin, pronën publike dhe private; b) ruan rendin dhe sigurinë publike;

Në aksionin e datës 17.05.2020 Policia e Shtetit, sipas AMT, cenoi shëndetin e dhjetëra qytetarëve përmes dhunës fizike dhe terrorit psikologjik duke u drejtuar armët në kokë qytetarëve brenda godinës së Teatrit Kombëtar, duke iu afruar pa maska e prekur pa doreza sipas rregullave për ruajtjen e shëndetit në kushtet e pandemisë COVID-19, cenoi pronën publike në mënyrë të pakthyeshme ndërkohë që çështja ishte duke u pritur të gjykohej në Gjykatën Kushtetuese, si dhe cenoi rendin dhe sigurinë publike duke thyer gjendjen e fatkeqësisë natyrore e duke nxitur reagimin qytetar.

Ndër të tjera thuhet se Policia e Shtetit ka shkelur nenin 98 pika 1 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” i cila përcakton se: “Punonjësi i policisë i kryen detyrat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike me uniformën dhe shenjat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Uniforma dhe shenjat dalluese të policisë përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij.”

Gjithashtu është shkelur neni 11 pika 4 i “Rregullores së Policisë së Shtetit” e cila përcakton se: “Punonjësi i Policisë së Shtetit është i detyruar të paraqesë dokumentin e identifikimit dhe medaljonin zyrtar vetëm gjatë kryerjes së detyrës.”

Aleanca deklaron se ka prova të pakundërshtueshme se ditën e djeshme punonjësit e Policisë së Shtetit kanë qenë pa shenjat identifikuese (kodet, numrat dhe mbiemrat).

Policia e Shtetit ka shkelur nenin 89 gërma “c” të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” e cila përcakton se:

“Punonjësi i policisë në ushtrimin e kompetencave ka dhe këto detyrime:

të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të marrë masat realisht të zbatueshme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit që ka në ruajtje ose që e ka dëmtuar atë gjatë kryerjes së një veprimi kur është në detyrë;”

Më tej nënvizohet se botërisht dje u provua se nga dhuna barbare nuk u gjet koha të njoftohej asnjë ambulancë për të lënduarit.

Policia e Shtetit ka shkelur nenin 102 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” i cili përcakton se:

“1. Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë, të drejtat dhe interesat që vihen në rrezik dhe/ose cenohem, si dhe nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur.”

Policia e Shtetit ka shkelur nenin 135 në pikën 1 dhe 2 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” i cili përcakton se:

“1. Për kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të policisë, përdoren struktura speciale operacionale të policisë.

Përgjegjësitë e këtyre strukturave janë: a) çlirimi i pengjeve; b) kapja e personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë dhe transportimi i tyre në mjediset e policisë; c) mbështetja e strukturave, të cilat sigurojnë personalitetet e larta shtetërore, të vendit ose të huaja, në rastet kur ka të dhëna për akte terroriste ndaj tyre;

ç) rivendosja e rendit dhe e sigurisë publike, kur kjo është e pamundur vetëm me strukturat e tjera policore;

d) marrja në ruajtje e personave, të cilëve u kërcënohet jeta për shkak të detyrës.”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit deklaron se Policia e Shtetit mbështeti një aksion i cili nisi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar kur ende Brenda kishte qytetarë duke u rrezikuar drejtpërdrejt jetën me dashje të drejtpërdrejtë.

Ndër tjera Aleanca rendit këto pyetje:

-Mund të dimë çfarë lidhje ka uniforma e Policisë së Shtetit me tentativën për të vrarë njerëz që faj të vetëm kanë dashurinë për artin, trashëgiminë kulturore si dhe pronën publike?

-A mund të na thotë Policia e Shtetit në cilën nga kategoritë e këtij neni ishim ne artistët dhe qytetarët që mbronim një godinë të trashëgimisë kulturore nga shkatërrimi, për të përdorur në aksion struktura special operacionale të armatosura rëndë?

-A mund të sqarojë Policia e Shtetit çfarë dhe kush ishin ata që mbanin veshur uniformën e Policisë së Shtetit dhe në kokë kishin maskë e në trup asnjë kod identifikues që dhunonin me shkelma në mënyrë barbare të rinj që ishin aty për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?

-A mund të sqarojë Policia e Shtetit çfarë lidhje ka me maskat ndaj një grupimi qytetar që fuqia e vetme që ka është fjala dhe e drejta?

-A mund të sqarojë Policia e Shtetit përse përdori armë të rënda në një aksion që kishte përballë qytetarë dhe artistë pa asnjë precedent penal? Cili ishte qëllimi?

-A mund të sqarojë Policia e Shtetit mbi çfarë vendimi e bëri lirim dorëzimin e pronës së Teatrit Kombëtar kur vendimi i Këshillit Bashkiak ishte kundërshtuar gjyqësisht dhe ndaj ekspertëve të Institutit të ndërtimit që kishin firmosur prishjen ishte paraqitur një kallëzim penal? /a.y/noa.al

Përplasjet për Teatrin, policia shoqëron 64 persona, 7 të arrestuar/ Emrat