Transmetuar më 19-05-2020, 09:53

Në ditët kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kaluar 91 mijë viktima prej koronavirusit, Presidenti Donald Trump kërcënon se do i ndërpresë fondet si dhe anëtarësinë e SHBA në Organizatën Shëndetësore të Shëndetësisë.

Po ashtu ai pohon se merr çdo ditë nga një pilulë hidrosiklorikinë, një ilaç anti-malarje, në fazë eksperimentale si ilaç anti-Covid, “prej një jave e gjysmë”.

Fjalët e tij shkaktuan polemika të shumta, duke qenë se bëhet fjalë për një ilaç eksperimental, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë shton se “çfarë ka për të humbur?”.

Po ashtu Presidenti i SHBA thotë se “OBSH është një kukull në duart e Kinës”.

Ai paralajmëron se, “Nëse OBSH nuk angazhohet në përmirësime thelbësore në 30 ditët në vijim, do e bëj përfundimtar vendimin e përkohshëm për të ndërprerë financimet e SHBA si dhe do të dalim prej saj”.

Kjo deklaratë e fortë e tij, vjen me anë të një letre dërguar drejtorit të përgjithshëm të OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të postuar në Twitter, ku liston një varg akuzash për menaxhimin e krizës së koronavirusit.

Ndërkohë në të dhënat e 24 orëve të fundit të publikuar nga Johns Hopkins University, në SHBA në 24 orët e fundit humbën jetën 759 persona.

Me shifrat e fundit shkon në 91.891 numri total i viktimave qysh nga nisja e pandemisë dhe në 1.550.294 numri i të infektuarve. /a.y/noa.al