Transmetuar më 19-05-2020, 07:00

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot janë njoftuar rezultatet e para të testimit te njerëzit, për vaksinën kundër koronavirusin. Kompania e bioteknologjisë amerikane ‘Moderna’ deklaroi se rezultatet janë  pozitive. "Faza e parë e provave klinike – thonë ata – tregoi se personat që iu nënshtruan testit zhvilluan antitrupa në një mënyrë të ngjashme me pacientët e shëruar nga Covid-19".

Nivelet e antitrupave të zbuluara në tetë personat e parë që iu nënshtruan provave klinike me mRNA-1273, – shpjegon shoqëria me seli në Massachusetts – janë të barabarta me ose më të larta se ato që gjenden te pacientët e kuruar nga Covid-19.

Kompania shtoi se vaksina deri tani ka treguar se është “e sigurt dhe tolerante e mirë”, pa paraqitur efekte anësore serioze, por nuk tha se cilat ishin efektet anësore joserioze.

Fazat e ardhshme të eksperimentimit

Kompania amerikane punon me Institutin Kombëtar të Alergjisë së Sëmundjeve Infektive të udhëhequr nga virologu Anthony Fauci. Tani ajo ka filluar fazën e dytë të testimit dhe shpreson të vazhdojë me fazën e tretë në muajin korrik. Vaksina që tani konsiderohet ende si eksperimentale, ka për qëllim të krijojë një mekanizëm mbrojtës për trupin e njëriut. Por do të duhet akoma kohë për të verifikuar këto rezultate të cilat tani për tani janë vetëm në një kampion të vogël njerëzish.

Shumë kompani, në vrull për vaksinën

Ndërkohë, dhjetëra qendra kërkimore në të gjithë botën po punojnë për të gjetur një mburojë kundër koronavirusit. Sipas revistës ‘Nature’, ka të paktën 70 grupe pune. Së paku pesë prej tyre janë nga më të rëndësishmit. Këto përfshijnë studimin e Universitetit të Oksfordit dhe Imperial College London në bashkëpunim me kompaninë Pomezia Advent-Irbm në Romë. Ekipi i studiuesve synon të jetë në gjendje të përdorë vaksinën menjëherë pas verës dhe nuk përjashtohet mundësia që vaksina të jetë gati në shtator.