Koronavirusi, Manastirliu në laboratorin e ISHP: Intensifikim testimesh për gjurmimin aktiv të rasteve
Transmetuar më 19-05-2020, 15:35

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, vizitoi sot nga afër laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, i cili ka vijuar punën që nga dita e parë e epidemisë për diagnostikimin e COVID-19.

“Ne sot jemi në rreth 190 raste aktive, të cilat janë të shpërndara në 4 qarqe kryesore, por nga ana tjetër ajo çfarë nevojitet është vijimi i testimit dhe vijimi i gjurmimit të kontakteve të rrethit të parë, të rrethit të dytë, ashtu siç tashmë edhe në strategjinë e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve është përcaktuar dhe është ndjekur”, tha Manastirliu.

Duke falenderuar stafin për punën dhe sakrificën gjatë kësaj periudhe, Manastirliu u shpreh se, në fazën e rihapjes, do të intensifikohet testimi për gjurmimin aktiv të rasteve, ndaj edhe janë marrë të gjitha masat për forcimin e kapacieteve në Laboratorin e Referencës  në ISHP. 11 mijë teste të tjera kanë mbërritur në këtë laborator, financim i qeverisë shqiptare.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Insitutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Duke u ndalur tek testimet serologjike, Ministrja Manastirliu deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shendetesor, duke vlerësuar si të suksesshme strategjinë e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut.  Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG pozitive”, tha Manastirliu.

Drejtuesja e ISHP, Albana Fico tha se po vijon furnizimi në vijim me testet e nevojshme, ndërsa drejtuesja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se po zgjerohen qendrat sentinel dhe po vijojnë trajnimet në të gjithë vendin për gjurmimin e rasteve të dyshuara.

Manastirliu bëri apel që në këtë fazë të rihapjes të rritet vigjilenca e strukturave dhe të përmirësohet sistemin i informacionit përsa i përket sistemit parësor në raport me qendrat sentinel, në raport me servejancën aktive dhe me të gjithë spitalet e vendit, për të mundësuar që në kohë reale testimin e rasteve, gjurmimin dhe izolimin në mënyrë që ne të kemi parandalim dhe kufizim të përhapjes së virusit.

Loading...