Transmetuar më 20-05-2020, 00:18

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të shpronësojë nga pronarët ndërtesën e njohur si Sarajet, si dhe një ndërtesë në pronësi të familjes Libohova ngjitur me të, të cilat ndodhen në rrugën Abdi Toptani, në pjesën fare pranë Teatrit Kombëtar.

Veliaj e ka bërë këtë deklarim në emisionin Opinion të hënën në mbrëmje. Pohimi i thënë në mënyrë "rastësore" i Veliajt, me gjasa zbulon një projekt tjetër kullash në kryeqytet, pikërisht tek zona që konsiderohet si downtown i Tiranës. Këtë dyshim e hedh Exit duke raportuar se ka parë një koncept ide për ndërtimin e një kulle 45 katëshe në truallin e ndërtesës Sarajet.

Në deklarimin e tij, Veliaj tha se do ta shpronësojë ndërtesën për të bërë aty një muze. Por besueshmëria e të tilla planeve është e ulët, në kushtet kur qeveria dhe Veliaj kaluan një ligj special të paprecedentë që i jepte një kompanie private tokën e Teatrit Kombëtar për të ndërtuar 7 kulla shumëkatëshe dhe në këmbim ofrohej një godinë e re për teatrin, plan i cili pas qëndresës së disa aktivistëve ra poshtë.