Transmetuar më 21-05-2020, 08:27

Mjeku i njohur infeksionit Dhimitër Kraja, qysh në ditët e para kur epidemia e koronavirusit goditi vendin tonë, hoqi dorë nga qëndrimi pasiv në pension, për tu rikthyer në detyrë në vijën e parë të betejës.

Por pak ditë pas rikthimit në spital, ai u infektua nga Covid-19, mirëpo edhe pas shërimit vazhdoi sërish detyrën.

Një rrëfim prej tij e ndan Kryeministri Edi Rama, teksa shkruan se, “Me këtë dëshmi frymëzuese të profesorit të nderuar Dhimitër Kraja, i cili u rikthye nga pensioni si vullnetar, u infektua dhe pasi e mundi armikun, u rikthye sërish krah kolegëve në frontin e luftës përballë Armikut të Padukshëm, ju uroj një ditë të mbarë”.

Mesazhi i mjekut Kraja

“Kur pashë që erdhi vala e pandemisë tek ne e ndjeva që e kisha për detyrë të bashkohesha me stafin, që po bënin punë të vështirë, të paparë, e kam nderin që jam i atashuar për këtë problem kolegëve të mi që në çdo njësi të Infektivit, nga Urgjenca tek Reanimacioni, apo Reanimacionit shtesë që u bë, që shërbimi të ishte perfekt dhe në fakt asnjë person nuk mbeti pa marrë ndihmën e duhur siç i takonte. Është arritje e popullit që nuk pati deri tani ngjarje të rënda, shifra të mëdha, komplikacione të jashtëzakonshme, raste që u abandonuan, apo që nuk iu dha ndihma, kjo është një arritje dinjitoze e Shqipërisë, mjekësisë shqiptare.

Këto arritje të nivelit me çdo shtet tjetër në botë nuk duhet të prishen, se filloi të çlirohemi nga rregullat racionale e të logjikshme, të dalin siç po shikojmë që turma njerëzish dalin pa maska, nuk respektohet distancimi social, kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm, deri në shuarjen e epidemisë, që do të përcaktohet pastaj në rrugë shkencore dhe shtetërore”. /a.y/noa.al