Transmetuar më 21-05-2020, 11:49

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari deklaroi sot në Parlament se reforma zgjedhore është detyrim kombëtar dhe detyrim i gjeneratës së re për të qenë aty ku kemi dashur, në gjirin e Bashkimit Europian.

Ajo tha se reforma nuk duhet vetëm për Bashkimin Europian, por pikë së pari, për t’iu rikthyer shqiptarëve sovranitetin e parlamentit.

“Ne kemi naftë, krom, dete, lumenj, ku janë këto pasuri, janë të grabitura, nga 5 njerëz. Janë pasuruar dhe qytetarët nuk kanë mundësi të mbajnë familjet në këmbë. Pra ti lind sot dhe nuk ke mundësi të bësh asnjë gjë në këtë vend. Ne si opozitë parlamentare po avokojmë për ndryshim sistemin zgjedhor. Enver Hoxha ka vdekur në ‘85-ën çfarë po bëjmë ne sot. Pse nuk e mbron asnjë nga Partia Socialiste Teatrin? Ju mban me litar prej fyti Rama”, u shpreh Hajadari.

Ajo shtoi se duhet ndryshim sistemi zgjedhor, ndaj i bëri thirrje opozitës jashtëparlamentare të rikthehet në tryezë.

"Mos e lini Shqipërinë në dorë të socialistëve, mos i lini Bashkitë në dorë të socialistëve. Hajdeni në parlament të luftojmë”, tha Hajdari. /a.y/noa.al