Transmetuar më 21-05-2020, 13:43

Kryeministri Edi Rama lajmëroi sot nga Parlamenti, se brenda majit e gjithë Shqipëria do të hapet, madje edhe kufijtë.

Duke folur për situatën e koronavirusit në vend, ndërthurur edhe me debatin për çështjen e shembjes së Teatrit, ai deklaroi se meqë teatrin e politikës e ka pushtuar politika për Teatrin, ky është një lajm shumë i mirë.

Kjo pasi sipas tij, nëse nuk do të ishin bërë gjërat e duhura mund të mos takoheshin në Parlament por të numëronin humbjet e jetës, plagët e rënda dhe kolapsin në kushtet e një përballje, ku shumë shtete më të zhvilluara se ne e humbën.

“Jeta më ka çuar dikur pranë një njeriu të zemrës në një spital amerikan në Masachusets, dhe kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se çfarë ndodhte kam menduar se kjo këtu është dora e Zotit se nuk ka mundësi. Përpara syve të mi kam parë atë qenie, që do të jepja jetën time që të kthehej nga koma dhe sot në atë vend ku gjendet ai spital numërohen deri tani 6 mijë të vdekur me vetëm dyfishin e Shqipërisë. Përderisa ne ia dolëm. Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik”, deklaroi kreu i qeverisë.

Po ashtu ai tha se nëse do të kthehet një valë e dytë, do të jetë më e rëndë.