Transmetuar më 21-05-2020, 14:00

Kryeministri Edi Rama e krahasoi godinën e shembur të Teatrit Kombëtar, si fëmijën ilegal dhe bastard, të një projekti që nuk përfundoi kurrë.

Duke folur nga seanca e sotme parlamentare, ai iu përgjigj zërave se pse nuk u ruajtën godinat e vjetra.

“A e dini ju që ai projekti që ka qarkulluar tinëzisht në formën e një vizatimi poetik të arkitektit italian që është shitur dhe në mediat dhe në zyrat e huaja nuk është rrëzuar kush. Autori nuk e ka njohur kurrë si pjellën e vetë. Ai projekt filloi, siç duket por nuk mbaroi. Lufta filloi, tironsit me pus e me tarracë, e me mustaqe hijerënda, a e dinë që në kopshtet e Tiranës u mboll grurë. Sepse në atë kohë rendi autokratik nga regjimi që u vendos dhe na i la plagët, shkurtoi fondet për t’ia kaluar luftës. Dhe thjeshtoi pa pjesëmarrjen dhe lejen e autorëve të gjitha projektet e godinave. Dhe godina e projektit të Teatrit është fëmija bastard i një marrëdhënie mes autorit italian dhe autores që ishte lufta fashiste që duhej ushqyer me para dhe grurin në parqet e Tiranës. U nis, por mustaqet kanë një gjë: Duken por nuk dëgjojnë”, u shpreh Rama.

Ai tha se projekti u ndërpre nga lufta dhe vepra për këtë arsye kurrë nuk u konsiderua as nga regjimi i vjetër, as nga të gjitha ekspertizat e mëvonshme për t’u futur në monumentet e kulturës.

Sipas tij, nuk ka asnjë dokument ku të figurojë se kemi të bëjmë me një monument kulture. Askush nuk e ka vënë.

“Kur qeveria e atyre që sot kanë rënë si faja nga fiku dhe u është këputur dhe llastiku u angazhua për të bërë Teatrin tek Piramida. Dhe kur unë si kryebashkiak prita një delegacion me kryesues një të afërm familjar të ish- kryeministrit , bashkë me një grup gjermanësh, dhe më paraqitën Plazza Shopping. Projekti ishte i bukur, një shesh me dyqane, bare, restorante, aty ku sot është pishina, por ajo pishinë në mes të Teatrit ka shërbyer për bretkosat që ishin të vetmet spektatore dhe për të larë makinat e aktorëve me ujë çezme. Bëheshin 2-3 kate. I thashë shumë bukur projekti, por do bëhet Teatri Kombëtar këtu”, deklaroi Kryeministri.