Transmetuar më 21-05-2020, 22:31

Një tjetër nudo në art. Ish-gruaja e këngëtarit Blero, Teuta Krasniqi, aktorja shqiptare nga Kosova i ka hequr të gjitha rrobat gjatë xhirimeve, por disa sekuenca filmike kanë dalë para kohe.

Mbase edhe me qëllim për të tërhequr vëmendjen mediatike dhe në fakt ia kanë dalë mbanë.

Bëhet fjalë për një skenë në filmin “Distant Angels” (Engjëjt janë larg) të regjisorit dhe skenaristit Gjergj Xhuvani, i cili do të transmetohet më 19 shkurt, fillimisht në “Kino ABC”, në Prishtinë dhe më 20 shkurt në kinemanë në Prizren.

Në këtë film, aktorë kryesorë janë Rinaldo Roço, Teuta Krasniqi, Nik Xhelilaj, Fatmir Spahiu etj. “Filmi ‘Engjëjt janë larg’, flet për marsin e vitit 1999, kohën kur NATO bombardonte në Kosovë. Eksodi shqiptar filloi gjatë kësaj kohe.

Terrori, frika, pasiguria dhe uria e pushtuan sidomos Gjakovën, që ishte në kufi me Shqipërinë.

Narracioni i tregimit është ndërtuar me situata logjike dhe momente humori, erotizmi, që në njëfarë mënyre largon rrethanat e vështira që kanë ekzistuar në këtë kohë.

Filmi zhvillohet në dy vija paralele që mandej ndryshojnë dhe lidhen me kërcënimin, ku në fund, të gjithë protagonistët e filmit tregojnë fatin e tyre.

Është një film për të gjitha moshat”, thuhet në broshurën informuese rreth këtij filmi, por duke parë aktoren nudo Teuta Krasniqi, mbase, nuk është edhe aq një realizim për të gjitha moshat. Filmi “Distant Angels” i regjisorit dhe skenaristit Gjergj Xhuvani është bashkëprodhim i “On Production” nga Shqipëria dhe “Buka production” nga Kosova, producentë janë Dritan Huçi dhe Fatmir Spahiu, që ndryshe njihet si Bufi.

Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë. Por ndërsa në Kosovë nis premiera më 19 shkurt, në Shqipëri ende nuk dihet asgjë…