Transmetuar më 22-05-2020, 09:35

Presidenti Ilir Meta kujton revoltën në burgun e Spaçit dhe të Qafë Barit, duke hequr paralele me situatën aktuale në vend.

Ai thotë se maji është një muaj i veçantë, i përkujtimit të revoltave kundër diktaturës më të egër që njohu Europa për gjysmë shekulli.

“Ndaj ne nderojmë me mirënjohje zemërluanët e Qafë Barit dhe të Spaçit, dy burgjeve më të tmerrshme, të cilët guxuan të ngrihen e të luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre duke dhënë edhe jetën. Ata thyen mitin e paprekshmërisë të regjimit kriminal dhe treguan se nuk mund të ishte i përjetshëm”, shkruan Meta.

Ai shton se sot kur shohim ku ka rënë demokracia jonë, nderimi i vetëm që mund dhe duhet t’u bëhet sakrificave të tyre është “t’u bashkohemi lëvizjeve qytetare që po ngrihen në të gjithë vendin për të krijuar një FRONT TË BASHKUAR PËR RIVENDOSJEN E DEMOKRACISË përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Sipas kreut të shtetit, qëndresa për 27 muaj e artistëve është kauza më fisnike e këtyre dekadave dhe shembull frymëzimi për të gjithë ata të cilët kanë dinjitet dhe e meritojnë lirinë.

Meta shpreh nderim ndaj zemërluanëve të Spaçit dhe Qafë Barit të cilët tronditën diktaturën më të egër të Europës dhe “Nderim zemërluanëve të Aleancës të Mbrojtjes të Teatrit, të cilët fituan admirimin e mbarë Europës për kauzën e tyre fisnike dhe i hoqën maskën e fundit regjimit të dhunës kriminale”.

Ai bën thirrje që të gjithë të ngrihen për demokracinë dhe se “Kur ngrihet populli bie tirania! Liria fitohet dhe nuk dhurohet!” /a.y/noa.al