Transmetuar më 22-05-2020, 14:42

Dalin detaje të reja lidhur me 39-vjeçarin e arrestuar në Tiranë, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.

Ardian Uka, i cili njihej edhe me emrin Ardian Muka, i etiketuar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, rezulton me precedentë të theksuar kriminal.

Në vitin 2005, ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 15 vite burg, i akuzuar për rrëmbimin e një vajze në vitin 2001.

Vajzën në fjalë ai e njohu në një disko dhe e mori me forcë duke e futur në makinë, me qëllim për ta trafikuar si prostitutë.

Ai e dërgoi në Laç, ku e shiti për 2 milionë lekë të vjetra, tek një person me emrin Gëzim Vuka.

Si të mos mjaftonte kjo ngjarje, ai akuzohet edhe për pengmarrjen e këngëtarit të muzikës tallave, Ardian Kazanxhi.

Uka akuzohet se bashkë me shokun e tij Elton Moriseni, në 6 janar 2017, ka marrë me forcë këngëtarin në makinë.

Gjithçka pasi donte që të këndonte për ta në një lokal nate në zonën e Laprakës.

Por kur kërkoi pagesën, ai u dhunua me shqelma dhe gruhata prej tyre.

Ngjarjen asokohe, këngëtari e denoncoi në polici.

Do trafikonte një vajzë drejt Belgjikës, si u kap në Tiranë

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Waiting”, ka vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të nisur në vitin 2019 dhe hetimeve disa mujore është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe të ndalohet

Ardian Muka (alias Ardian Uka,) 39 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të personave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”.

39-vjeçari shfrytëzonte për prostitucion një 22-vjeçare dhe po përgatitej për ta trafikuar drejt Belgjikës, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, të dyshuarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, 1 aparat celular dhe një dokument i dyshuar i falsifikuar. Gjatë shoqërimit për në Komisariat, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.

Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja M. M., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasit Ardian Muka (A. U.), si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetases M. M. /a.y/noa.al

Shfrytëzonte një vajzë për prostitutë, do e trafikonte drejt Belgjikës/ Kapet i rrezikshmi në Tiranë