Transmetuar më 22-05-2020, 21:06

Përditësuar 23:09 – Spanja ka raportuar shifra tronditëse 24 orët e fundit në numrin e viktimave dhe të infektuarve të rinj. Raportohen 688 njerëz të vdekur, ndërkohë që një ditë më parë ishin vetëm 52 dhe gjithë ditët e mëparshme në thuajse të gjithë majin, nuk ishin regjistruar më shifra e sotme që risjell në vëmendje tronditjen e marsit dhe prillit.

Në një njoftim sot në mbrëmje, autoritetet spanjolle deklaruan se kanë bërë përditësim të shifrave dhe 688 viktimat janë të disa ditëve të fundit, të paraportuar në komunikatat ditore. Për 24 orët e fundit, njoftohen 56 viktima.

Autoritetet njoftuan rritje drastike tek të infektuarit e rinj. Në 24 orët e fundit u regjistruan 1.787 të prekur nga koronavirusi, ndërkohë që ishin 593 një ditë më parë, raporton noa.al.

Aktualisht ka arritur në 28.628 numri i të vdekurve dhe 281.904 numri i të infektuarve.

Në Spanjë tani janë 196.658 njerëz të infektuar ende të pashëruar dhe prej tyre, 1.152 janë në gjendje kritike për jetën, raporton noa.al duke cituar të dhënat zyrtare nga Madridi.

Është e paqartë pse ka ndodhur kjo rritje kaq e madhe e numrit të viktimave, por autoritetet tërheqin vëmendjen se hapja e pjesshme dhe ulja e vigjilencës së njerëzve është bërë shqetësuese dhe krijon premisa për vazhdimësi negative. /noa.al/